Origjina

Studimet linguistike, antropologjike, dhe biblike kanë hedhur së fundmi më shumë dritë rreth origjinës dhe historisë së popullit rom.

Gjuha rome “romane”është një gjuhë  indo-ariane, pjesë e familjes gjuhësore indo-europiane e cila flitet që nga fillimi i mesjetës vetëm në diasporë, jashtë nën-kontinentit indian dhe sot  është një pjesë integrale e diversitetit linguistik europian. Studimet linguistike dhe antropologjike dëshmojnë se lëvizjet emigruese të popullit rom ndodhën rreth 1500 vjet më parë (shek. 6) nga India veri-perëndimore drejt Persisë e gadishullit Ballkanik e më pas në gjithë Europën. Populli rom mendohet se ka emigruar kryesisht nëpërmjet dy rrugëve, asaj kontinentale dhe nëpërmjet Qipros (në atë kohë njihej edhe si Egjipti i vogël). Për këtë arsye disa studiues thonë se romët u quajtën nga të tjerët “Gypsy”, që rrjedh nga fjala “Egypt” ose  më saktë “little Egypt” (Egjipti i vogël). Ndërkohë që termi “Gypsy” u ngarkua me konotacione negative dhe paragjykuese , romët vazhduan ta quanin veten “rom” një term i cili në gjuhën rome nënkupton fjalen “bashkëshort” dhe “burrë”. Kongresi i Parë Botëror i Romëve  denoncoi termat  me të cilët jo-romët i janë referuar romëve  shpesh të shoqëruara me konotacione negative e denigruese dhe vendosi që termi rom të ishte referencë zyrtare për popullin rom, duke respektuar zgjedhjet që komunitete të caktuara rome i referohen vetvetes me terma lokal, ose që kanë kuptim në gjuhën rome (psh fjala “manush” e cila në shqip përkthehet “njerëz” ose  terma të tjerë që burojnë nga përkatësia e hershme fisnore  (psh fjala “sinti”, etc).

Disa studiues biblik pranojnë faktin se romët e nisën udhëtimin e tyre për në Europë nga India, por kjo e fundit sipas tyre nuk mund të ishte vendi i origjinës së romëve.  Këtë pretendim studiuesit biblik e arsyetojne me prezencën  e mjaft elementëve  domethënës të përbashkët në fenë e izraeliteve dhe besimet rome ,  te cilat sipas tyre burojne ekskluzivisht në torrah, ( biblen hebraike) dhe që nuk kanë aspak lidhje me fenë indiane.Sipas këtyre studiuesëve pretendohet se romët kanë lidhje me izraelitët e diasporës të vendosur në indi, dhe mund të jenë një nga 10 fiset e humbura te izraelitëve.

Pavarësisht pretendimeve për origjinën indiane apo origjinën e hershme izraelite të romëve, është fakt që elementë të të dyja kulturave (indiane dhe israelite) janë prezent edhe sot tek diaspora rome në Europë. Ndërsa analizat linguistike tregojnë se gjuha rome përvec mjaft bazave indiane ka edhe mjaft influenca nga gjuhët e vendeve ku ata kanë udhëtuar të tilla si greqishtja etj., elementë të tjerë etnografike si veshjet karakteristike të grave rome dhe kapelja e zezë e burrave u ngjan veshjeve tradicionale izraelite, pa lënë mënjane dhuntinë e sipërmarrjes apo historitë e skllavërimit, diskriminimit dhe persekutimeve famëkeqe ndaj diasporës rome dhe asaj izraelite.