Historia

Historia rome njeh disa valë emigrimi të popullit rom nga nën-kontinenti Indian për në Europë. Shpërnguljet e  para të popullit rom nga India mendohet të jenë zhvilluar rreth shek. 6. Emigrimi i dytë  referuar edhe si “Aresajipe”, pretendohet të ketë ndodhur nga Azia jug-perëndimore për në Europë në shek.14. Vala e tretë emigruese përfshin lëvizjet e romëve nga Europa në kontinentin Amerikan gjatë shek.19 dhe fillim shek. 20 pas përfundimit të skllavërisë së romëve në Europë në vitet 1856-1864.

Kapitujt kryesorë të dokumentuar të historisë rome përfshijnë:

  • Periudhën para-Europiane dhe emigrimin e parë nga India në perandorinë bizantine
  • Periudhën e hershme Europiane dhe diskriminimi
  • Politikat shtetërore të integrimit, asimilimit dhe deportimit
  • Emigrimi i dytë dhe intensifikimi i diskriminimit
  • Persekutimi, internimi, genocide dhe holokausti
  • Diskriminimi i zgjatur dhe lufta për të drejta civile
  • Vala e tretë e emigrimit dhe procesi i emancipimit

Në Shqipëri që prej regjimit otoman romët kanë bashkëjetuar në paqe me grupet e tjera etnike pavaresisht se hendeku social dhe ekonomik midis tyre dhe pjesës tjetër të popullsisë vazhdoi të ekzistonte. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbi 500,000 romë nga vende të ndryshme të Europës  u ekzekutuan në kampet naziste të  përqëndrimit. Pavarësisht kësaj ne shqipëri nuk u zbatuan politika persekutimi as për popullsinë hebre-je dhe as për atë rome. Ndërkaq, disa romë morën pjesë aktive në Luftën Nacional-Clirimtare dhe gjatë periudhës socialiste trajtimi i romëve nuk shënoi përkeqësim, përkundrazi rezultoi në përmirësime të dukshme në strehim, arsim, përkujdesje shëndetësore dhe shërbime sociale si për pjesën tjetër të popullsisë. Ndonëse romët gëzonin formalisht  të drejta të barabarta, qëndrimet paragjykuese dhe të inferioritetit ndaj identitetit rom mbizotëronin dhe kanë lënë gjurmë edhe në shoqërinë e sotme shqiptare.