8 prilli – Dita Ndërkombëtare Rome simbolizon rezistencën, dinjitetin, lirinë dhe krenarinë rome dhe perkon me përvjetorin e Kongresit Botëror të Romëve, i cili u zhvillua në Orpington të Londrës në 1971. Kjo ditë përfaqëson gjithashtu lavdinë e popullit Rom dhe rezistencën paqësore për të ruajtur gjuhën dhe integritetin e kulturës Rome si një triumf ndaj historisë famëkeqe të skllavërimit, holokaustit dhe diskriminimit.
Romët së bashku me miqtë e tyre jo-romë në ditën ndërkombëtare rome organizojnë aktivitete te ndryshme festive dhe advokuese në përpjekje të vazhdueshme për sigurimin e të drejtave qytetare të barabarta për të gjithë romët dhe nxitjen e diversitetit kulturor si një pasuri e përbashkët e gjithë shoqërisë.
6 maj –Erdelezi është festa rome e Shën Gjergjit. Rituali i zakonshem i kësaj dite është përgatitja e mishit të qingjit, një praktikë pagane e sakrifikimit që ndoshta lidhet edhe me faktin se Shën-Gjergji ishte shenjtori padron i barinjve. Në këtë ditë grupet e të rinjve rom, festojnë me këngë e valle e lojra të ndryshme duke mbajtur kryqin në duar. Një nga lojrat më karakteristike është loja e ekuilibrit ( ose zhamballës) që luhet midis një burri dhe një gruaje, duke u ngritur dhe rrotulluar njëkohësisht. Kjo lojë për romët nënkupton se të paktën në ditën e shënuar të Shën-Gjergjit burri dhe gruaja janë të barabartë. Rreth e përqark janë spektatorë që festojnë e presin rradhën në cift.
Kënga tradicionale rome i kushtohet pikërisht ditës së Erdelezit ( Shën-Gjergjit) dhe ka marr për titull emrin e festës e cila shoqërohet nga kërcimi rom “oro”( në gjuhën rome “rreth”) që rrjedh nga “horah” në hebraisht nënkupton kërcimin rreth. Kërcimi rreth (horah) luajti një rol themelor në kërcimin popullor izraelit të kohëve moderne, duke u bërë edhe një simbol i bashkimit të popullit Hebre dhe rindërtimit e shtetit të Izraelit. Muzika e bukur rome e Erdelezit kombinohet me kërcimin rreth “oro” si për të celebruar bashkimin midis romëve dhe ardhjen e pranverës së shumëpritur për ta.