Takimet e organizuara nga IRCA me stakeholderët në Fier dhe Elbasan shënuan një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e projektit AGORA, duke krijuar hapësira reale dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet aktorëve lokalë për të adresuar një nga sfidat më kritike në nivel komunitar: raportimin dhe menaxhimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore në kujdesin shëndetësor parësor.
Përtej prezantimit formal të projektit, këto takime u kthyen në platforma reflektimi dhe shkëmbimi përvojash, ku përfaqësues të Bashkive Fier dhe Elbasan, NJVKSH-ve përkatëse, drejtues dhe profesionistë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, si dhe stafe psikosociale diskutuan hapur mbi sfidat praktike që hasen në terren – nga identifikimi dhe raportimi i rasteve, te koordinimi ndërinstitucional dhe nevoja për mbështetje të vazhdueshme profesionale.
Dialogu i drejtpërdrejtë nxori në pah jo vetëm boshllëqet ekzistuese, por edhe potencialin e madh për bashkërendim më të fortë ndërmjet institucioneve vendore dhe sektorit shëndetësor. Përmes këtyre takimeve u hodhën hapa konkretë drejt forcimit të mekanizmave të bashkëpunimit, rritjes së kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të praktikave të raportimit, duke kontribuar në një reagim më të koordinuar ndaj dhunës me bazë gjinore.
Kolazhi fotografik pasqyron angazhimin e përbashkët të aktorëve lokalë dhe vullnetin institucional për të çuar përpara ndryshime reale, drejt një sistemi më të ndjeshëm ndaj nevojave të viktimave dhe një shoqërie më të ndërgjegjshme dhe të emancipuar.
Këto aktivitete janë pjesë e iniciativës “Advancing Gender Equality through Oversight and Reporting in Albania (AGORA)”, e cila synon fuqizimin e organizatave të grave dhe aktorëve lokalë për të monitoruar dhe kërkuar llogaridhënie mbi zbatimin e kuadrit ligjor për barazinë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore, duke përmirësuar aksesin e grave dhe vajzave në shërbime cilësore sociale dhe shëndetësore.
Projekti zbatohet nga Gender Alliance for Development Centre (GADC), Together for Life dhe Institute of Romani Culture in Albania (IRCA). Ky publikim është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.




