Publikohet raporti “Pjesëmarrja e komunitetit Rom dhe grupeve të margjinalizuara në Zgjedhjet Parlamentare 2025”.

Publikohet raporti “Pjesëmarrja e komunitetit Rom dhe grupeve të margjinalizuara në Zgjedhjet Parlamentare 2025”. Raporti është realizuar nga Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri (IRCA) me mbështetjen e projektit “Pjesëmarrja e OShC-ve në proceset zgjedhore për një demokraci më të fortë dhe përshpejtimin e integrimit në BE”, financuar nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga Qendra Kombëtare Burimore e Trajnimit dhe Asistencës Teknike dhe Instituti për Studime Publike dhe Ligjore.

Klikoni këtu për të lexuar raportin

Raporti paraqet një analizë të detajuar mbi qasjen, përfaqësimin dhe sfidat që komuniteti Rom dhe grupet e tjera të margjinalizuara hasën gjatë procesit zgjedhor të 11 majit 2025 në Shqipëri. Mbështetur në standardet ndërkombëtare të monitorimit zgjedhor dhe në të dhënat e mbledhura nga vëzhguesit e trajnuar të IRCA në shtatë qarqe të vendit, raporti vlerëson barrierat praktike, institucionale dhe sociale që ndikojnë në ushtrimin e së drejtës së votës nga këto komunitete.

Gjetjet kryesore tregojnë se, pavarësisht një klime relativisht të qetë parazgjedhore dhe disa nismave të KQZ-së në fushën e informimit, pjesëmarrja dhe përfaqësimi politik i komunitetit Rom mbeten të ulëta dhe kryesisht simbolike, ndërsa aksesimi i informacionit zgjedhor në gjuhën rome rezultoi i pamjaftueshëm. Vëzhguesit evidentuan raste të presionit, ndikimit elektoral përmes formave indirekte (ndihmë ekonomike, ndërhyrje infrastrukturore), votimit familjar dhe mungesës së aksesit për personat me aftësi të kufizuara.

Raporti paraqet gjithashtu një analizë të programeve elektorale, ku vetëm një parti kishte një qasje të strukturuar ndaj çështjeve të komunitetit Rom, ndërsa partitë e tjera i trajtuan në mënyrë fragmentare ose aspak. Për më tepër, konstatohet një mungesë e theksuar e përfaqësimit të komunitetit në komisionet e qendrave të votimit, duke reflektuar përjashtimin e tyre të vazhdueshëm nga proceset vendimmarrëse.

Në përfundim, dokumenti ofron një sërë rekomandimesh konkrete për institucionet publike, partitë politike, mediat dhe shoqërinë civile për të garantuar përfshirje më të gjerë dhe më të barabartë në zgjedhjet e ardhshme. Raporti nënvizon nevojën urgjente për masa strukturore, përmirësim të aksesit në informacion, përfaqësim real politik dhe krijimin e mekanizmave të dedikuar për fuqizimin e liderëve të rinj romë.