Me krenari themi që ndoshta kontributi më i madh i komunitetit rom në shoqëri rezulton në fushën e muzikës. “…topa bore hedhin shokët tanë…” janë vargjet që shoqërojnë këngën “bardhësi’ muzika e së cilës u kompozua nga kompozitori rom Vakthi Sheme. Kjo këngë mori cmimin e dytë në festivalin e 10-të të këngës në RTSH. Përvec përkushtimit serioz per kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë, krijimtaria e kompoziorit rom përfshin edhe një sërë veprash të njohura në fushën e muzikës klasike. Bashkëpunëtor të afërt të tij kanë qenë zërat e njohur të muzikës së lehtë shqiptare si Kozma Dushi, Lindita Theodhori etj.
Por influenca rome në muzikë kalon kufijtë e Shqipërisë. Kjo tregohet edhe në të famshmen italiane “violino tzigano”, ku del në pah muzika e embël e violinës cigane, njohur edhe si instrumenti karakteristik i romëve. Në historinë e kërcimit spanjoll flamengo, romët përmenden si krijuesit e parë të këtij kërcimi popullor.
Simbolet rome kanë frymëzuar mjaft personalitete në botë për të kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit rom. Kohët e fundit artisti rom nga Shqipëria Sead Kazanxhiu ka realizuar monumentin rom i cili ka formën e rrotës së hapur duke treguar simbolikisht respektin për origjinën rome dhe nxitjen e shkëmbimeve kulturore midis romëve dhe jo-romëve. Monumenti rom u vendos për herë të parë në kryeqytetin e Shqiperise Tiranë në vitin 2014, përpara godinës së Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.
Romët tradicionalisht kanë shkëlqyer në punimet e ndryshme artizanale e sidomos produktet e kashtës, qëndistari, përpunimin e metalit e përgatitjen e bizhuterive.
Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri, ka si pjesë të misionit të tij përgatitjen e materialeve enciklopedike rreth identitetit rom dhe trashegimisë kulturore në Shqipëri e më gjerë.